Shefi, luanët, macet dhe… Milani në krizë. Ibrahimovic duhet ta kuptojë se “San Siro” nuk është Sanremo!

Luanët dhe macet (kotelet). Shefi dhe të tjerët që punojnë për të. Zlatan Ibrahimovic ka meritën se di të fitojë vëmendjen e atyre që e dëgjojnë, por më pas ndodh që të dalë jashtë teme dhe jashtë kontekstit. Dje, para debutimit të Milanit në Ligën e Kampionëve kundër Liverpool-it, Ibra u shpreh kështu në lidhje me kritikat që mori për largimin e fundit nga skuadra:

“Kur luani largohet, macet afrohen më shumë. Kur luani kthehet, macet zhduken. Jam i fokusuar te puna, kam ikur vetëm disa ditë për arsye personale. Roli im është i thjeshtë: jam në krye, jam shefi dhe të tjerët punojnë për mua. Unë fola me ekipin, lojtarët janë të ndezur dhe të gatshëm”.

Në fakt, nuk rezultuan shumë gati, për të qenë të sinqertë. Sidoqoftë, ai mund të mos e kishte vënë re krizën, nga distanca. Humbja 3-1 ndaj Liverpool-it e konfirmoi sërish krizën kuqezi, në sytë e të gjithëve, në elitën e futbollit kontinental për klube.

Sidoqoftë, problemi është tjetër. Duke e dëgjuar të fliste ashtu, u duk se Zlatan e konsideronte veten në “Ariston”, sallën e Sanremos, ku po bënte duet me Amadeus në një nga skeçet e suksesshme të festivalit të njohur.

Në vend të kësaj, ai ishte në “San Siro”, pak minuta para një ndeshjeje që ballafaqoi 13 Champions në lëndinën e një stadiumi të mrekullueshëm (7 të fituar nga kuqezinjtë dhe 6 nga anglezët). Nuk mund të presim që Zlatan, me “maskën” e tij të re, të transformohet duke mbytur personalitetin e natyrshëm shpërthyes.

Sidoqoftë, qasja duhet të jetë e ndryshme në rolin institucional. Ndërsa kritikohen ekzagjerimet tradicionale të Ibrës, mbetet fakti se ai tani përfaqëson Milanin shumë më tepër se më parë. Si lojtar i lejohej njëfarë buje dialektike dhe ndonjëherë, në dhomat e zhveshjes, ishte edhe e mirë.

Por shefat, siç thotë ai, ndjekin kode të ndryshme. Zlatan, ftoje mikun tënd Galliani për darkë dhe dëgjoje me kujdes. Nuk do të dëgjosh nga goja e tij as luanë, as kotele, por këshilla të çmuara.

The post Shefi, luanët, macet dhe… Milani në krizë. Ibrahimovic duhet ta kuptojë se “San Siro” nuk është Sanremo! appeared first on Telesport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *