Pioli në negociata për t’u bërë trajner i Cristiano Ronaldos, “fërkon duart” edhe Milani

Al-Nassr duket se e ka seriozisht me Stefano Piolin. Ish-trajneri i Milanit, në fakt, së shpejti mund të marrë “stafetën” nga Luis Castro. Hipoteza e transferimit të Piolit në Arabinë Saudite ishte shfaqur tashmë gjatë verës, kur Al-Ittihad kishte treguar interes për të, përpara se të zgjidhte Laurent Blanc.

Tani, megjithatë, klubi i Riadit shfaqet gati për ta finalizuar marrëveshjen me trajnerin emilian, i cili do ta gjente veten si trajner i Cristiano Ronaldos, por jo vetëm kaq. Atje e pret edhe Marcelo Brozovic, me të cilin është ndeshur shumë herë në derbin e Madoninës.

E ardhmja e Luis Castros në stolin e Al Nassr tani duket e vulosur. Trajneri portugez, pas golit të barazimit në shtëpi, në minutën e 99-të kundër Al-Ahli, është në prag të shkarkimit. Humbja 4-1 në Superkupën Arabe kundër Al-Hilal, një muaj më parë, sinjalizoi shenjat e para të një përçarjeje mes klubit dhe trajnerit.

Prandaj, klubi saudit ka intensifikuar dialogun me Stefano Piolin dhe po përpiqet të mbyllë sa më shpejt këtë negociatë. Siç raporton Fabrizio Romano përmes rrjeteve të tij sociale, negociatat mes Al Nassr dhe Stefano Pioli janë ende në vazhdim dhe nuk kanë përfunduar.

Bisedimet po vazhdojnë, me ish-trajnerin e Milanit, i cili mund të startojë sërish nga liga arabe pas marrëveshjes së dështuar në verë me Al-Ittihad. Pioli është zgjedhja e parë për të zëvendësuar Luis Castro, por ende duhet të bien dakord për kushtet ekonomike, si dhe për ndarjen e tij me Milanin.

Zbarkimi i mundshëm i Piolit tek Al-Nassr do të sillte gjithashtu një përfitim ekonomik për Milanin. Trajneri, në fakt, është ende nën kontratë me kuqezinjtë deri më 30 qershor 2025, por marrëveshja e re do ta lironte klubin nga pagesa e pjesës së mbetur të kontratës.

Një lëvizje që do t’i lejonte klubit milanez të kursente ndjeshëm, duke qenë se Pioli do të detyrohej ta zgjidhte kontratën me ish-skuadrën e tij. Prandaj Milani është në pritje të rezultatit të këtij negocimi, duke e ditur se mund të nxjerrë përfitim të konsiderueshëm ekonomik prej tij.

The post Pioli në negociata për t’u bërë trajner i Cristiano Ronaldos, “fërkon duart” edhe Milani appeared first on Telesport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *