Lajm i mirë për Flick: Talenti 20-vjeçar spanjoll rikthehet në stërvitje me Barcelonën 298 ditë pas dëmtimit

298 ditë pas dëmtimit të rëndë të gjurit, Gavi është rikthyer në stërvitje me Barcelonën dhe debutimi i tij në fushë me trajnerin e ri Hansi Flick është më afër se kurrë.

Sipas asaj që raportohet nga Mundo Deportivo, i riu spanjoll ka marrë pjesë në seancën e fundit stërvitore me pjesën tjetër të grupit, të cilët e kanë mbështetur dhe janë kujdesur që të mos kenë përplasje të forta gjatë lojës.

Ka një vëmendje të veçantë për talentin 20-vjeçar spanjoll dhe shumë arsye, duke përfshirë faktin se klubi nuk dëshiron të marrë asnjë lloj rreziku.

Ndjesitë janë pozitive, por kujdesi është maksimal, duke pasur parasysh edhe cilësinë e Gavi, i cili pësoi një dëmtim të plotë në ligamentin e kryqëzuar të përparmë të gjurit të djathtë dhe një dëmtim shoqërues të meniskut lateral.

Natyrisht që mesfushori nuk do të jetë në fushë në ndeshjen ndaj Girona, por së shpejti do të jetë në dispozicion të Flick. Në karrierën e tij, Gavi krenohet me 111 paraqitje dhe 7 gola me Barçën.

Me Spanjën ai bëri gjithsej 27 paraqitje, duke shënuar 5 gola. Në moshën 20-vjeçare ai tashmë ka fituar një Ligë të Kombeve, një La Liga dhe një Superkupë të Spanjës.

The post Lajm i mirë për Flick: Talenti 20-vjeçar spanjoll rikthehet në stërvitje me Barcelonën 298 ditë pas dëmtimit appeared first on Telesport.

Capello kritikon ashpër Leaon: Mjaft tekave të tij fëmijërore, është koha të bëhet burrë

Sezoni i deritanishëm i Milanit ende nuk ka dhënë sinjale pozitive. Pas pushimit ndërkombëtar (ndeshjeve të kombëtareve në shtator) do të nisë “lakmusi” i vërtetë për Paulo Fosneca. Ndeshja e fundit e kampionatit kundër Lazios ngjalli polemika të shumta ndaj Rafa Leaos dhe Teo Hernandez, të cilët, të përjashtuar nga formacioni titullar, qëndruan larg trajnerit dhe bashkëlojtarëve gjatë pushimit për t’u freskuar e pirë ujë.

Situata brenda klubit është zgjidhur, por nga jashtë Fabio Capello kritikon sulmuesin portugez se si është sjellë në këto tri ndeshjet e para. Ish-trajneri i njohur italian, duke folur për “Corriere della Sera”, nuk kurseu kritikat ndaj lojtarit apo kuqezinjve, të parë si një skuadër në vështirësi të mëdha, që nuk ka mundur të bëjë një hap shtesë për të kapur rivalët e kreut të renditjes.

Tashmë në rolin e komentatorit televiziv, “Don Fabio” ishte mjaft i ashpër kur u pyet për Leao. Pritej që portugezi ta merrte përsipër Milanin e ri, nën drejtimin e bashkatdhetarit Fonseca, por deri më tani Capello nuk është aspak i kënaqur me atë që ka bërë në tri sfidat e para të kampionatit.

Ajo që e shtyn të shpërthejë është qëndrimi i lojtarit, për të cilin thotë se nuk është shumë i pjekur: “Gjithçka që ndodh te Milani duket se është faji i Leaos. Kjo situatë vazhdon, por është i vetmi që mund të krijojë një rrezik serioz te kuqezinjtë. Ka ardhur koha që pas tekave të tij fëmijërore të bëhet burrë”.

Fokusi i tij më pas zhvendoset tek ekipi kuqezi në përgjithësi dhe ekuilibri i munguar në tri ndeshjet e para. “Djalli” nuk ka fituar ende në këtë kampionat (barazimet ndaj Torinos dhe Lazios, si dhe disfata ndaj Parmës), nuk ka treguar ende seështë konkurrent i vërtetë për titullin, pavarësisht transferimeve të reja dhe ndryshimit në stol.

Capello është vërtet skeptik për rrugën e Milanit: “Shpresoj të jem plotësisht i gabuar, por e shoh të vështirë rrugëtimin sezonal të kuqezinjve. Deri më tani kam parë një ekip në shumë vështirësi. Asgjë nuk ka ndryshuar në nivel organizativ në krahasim me sezonin e kaluar.

Do të duhet një shpërthim krenarie nga lojtarët. Ata do të duhet të demonstrojnë, pas asaj marrëzie në ndeshjen e fundit të bërë nga Leao dhe Theo Hernandez, se janë grup harmonik dhe vrapojnë në mbështetje të njëri-tjetrit. Ekuilibri është gjëja më e rëndësishme në një ekip futbolli”.

The post Capello kritikon ashpër Leaon: Mjaft tekave të tij fëmijërore, është koha të bëhet burrë appeared first on Telesport.

“Ferguson nuk më mësoi asgjë si mbrojtës, por më tregoi si të ndaloja një nga sulmuesit më të mirë në botë”

Duket se po bëhet modë që ish-futbollistët, madje edhe ata aktivë, të kalojnë kohë të mira në kanalet e tyre përkatëse në YouTube, me miq dhe njerëz të njohur, duke biseduar të qetë për jetën, futbollin apo çfarëdo tjetër. Kemi shembujt aktualë të Cristiano Ronaldos apo Tchouameni, Luis Enrique gjatë Kupës së Botës në Katar.

Një nga personalitetet më aktuale dhe më të shquara në universin e futbollit, të paktën në Premier League, është Rio Ferdinand. Ashtu si Gary Neville, siç ishte dhe vazhdon të jetë Lineker në Angli, apo në Spanjë, siç ishte Michael Robinson dhe Jorge Valdano, janë zëra autoritarë edhe sot. Pra, kur ata dalin para një mikrofoni, njerëzit i dëgjojnë.

Tema më e fundit që preku në kanalin e tij “Rio Presents” ishte marrëdhënia me Sir Alex Ferguson, të cilin nuk e klasifikoi si “trajneri më i mirë që kishte pasur ndonjëherë”. Nënshkrimi i tij nga Leeds ishte i shkëlqyer, megjithatë Ferdinand pranoi se Fergusoni nuk i mësoi asgjë si mbrojtës.

“Trajnerët më të mirë, si Glenn Hoddle (trajneri i Anglisë në vitet ’90) mund t’iu tregonin lojtarëve: Kjo nuk është pika juaj e fortë, por unë mund ta përmirësoj duke punuar në stërvitje, – saktësoi Ferdinand. – Fergie nuk ishte i tillë. Kam mësuar disa gjëra në 12 ose 13 vitet e mia në ‘Old Trafford’, që më rritën si mbrojtës. Ai kurrë nuk më foli për mbrojtjen. Ferguson kurrë nuk më mësoi se si të mbroja”.

Sidoqoftë, Rio Ferdinad njohu diçka që lidhej me Alex Ferguson. Këshilla e ish-trajnerit të shquar skocez e ndihmoi të ndalonte atë, që në atë kohë konsiderohej si një nga sulmuesit më të mirë të momentit.

Sulmuesi që ata u përpoqën ta ndalonin nuk ishte askush tjetër, veçse Luis Suarez. Pra, qendërsulmuesi që mahniti “Anfield” gjatë dy viteve e gjysmë në Premier League, përpara se të nënshkruante me Barcelonën.

Deklarata të tilla janë larg asaj që u përjetua më shumë se një dekadë më parë mes sulmuesit uruguajan dhe një pjese të mirë të skuadrës së Manchester United. Momente në të cilat derbet e mëdha të futbollit anglez u përjetuan me intensitet ndoshta disi të tepruar.

The post “Ferguson nuk më mësoi asgjë si mbrojtës, por më tregoi si të ndaloja një nga sulmuesit më të mirë në botë” appeared first on Telesport.

“Kemi 7 ndeshje në 22 ditë, do të jetë një periudhë e vështirë për Manchester United”

Humbja 3-0 e Manchester United ndaj Liverpoolit në “Old Trafford” e la atë në vendin e 14-të në tabelën e Premier League, me vetëm tre pikë pas tri ndeshjeve të para të sezonit. Presioni po rritet mbi trajnerin Erik ten Hag, që e pret një kalendar i vështirë ditët në vijim.

Programi i United përmban një seri prej shtatë ndeshjesh në hapësirën prej 22 ditësh nga fundi i pushimit ndërkombëtar të shtatorit dhe fillimi i pushimit të tetorit. Me fillimin e Europa League, do të përfshihen shumë udhëtime dhe katër nga shtatë ndeshjet (përfshirë tre nga katër ndeshjet e Premier) do të luhen jashtë shtëpisë.

Dëmtimet nuk kanë qenë një aleat i “djajve të kuq”, që kanë mjaft lojtarë në infermieri. “Do të jetë një tur force i vështirë për ne. Jemi përgatitur maksimalisht për të përballur këtë situatë, por mungesa e disa lojtarëve e vështirëson punën, pasi dikush duhet të pushojë herë pas here”, tha Ten Hag.

Ten Hag paralajmëroi se ardhja e Manuel Ugarte mund të marrë kohë për t’u përshtatur në Premier League, por ai do të ketë nevojë për uruguaianin sa më shpejt. Loja e dobët e Casemiro kundër Liverpool nënvizoi problemet në mesfushë. Energjia, intensiteti dhe aftësia për të fituar topin e Ugartes janë cilësi që u mungojnë aktualisht.

The post “Kemi 7 ndeshje në 22 ditë, do të jetë një periudhë e vështirë për Manchester United” appeared first on Telesport.

Ish-drejtori kuqezi: Po largove Piolin, atëherë merr një top-trajner. Morata? I bëra ofertë më 2018, por…

Massimiliano Mirabelli, menaxheri aktual i zonës teknike të Padovës, ka dhënë një intervistë për gazetën “Libero”, duke u ndalur mbi të gjitha në problemet aktuale të Milanit, drejtor sportiv i cilit ishte në sezonin 2017-2018:

“Shkaku i problemeve është në lamtumirën e Piolit. Ata duhej të uleshin, të qartësonin detyrat në klub, të kërkonin një trajner më të mirë se Pioli dhe të bënin transferime për titullin. Sezonin e kaluar, Stefano u penalizua nga dëmtimet. Shpesh kishte gjysmën e ekipit, por disa fajësuan përgatitjen e tij. Diçka e gabuar”.

Mirabelli vazhdon: “Pak e kanë kuptuar rolin aktual të Ibrahimovic. Nëse kthen faqen dhe përpiqesh të kalosh nga futbollisti në menaxher e drejtues duhet të veprosh ndryshe, të bësh zgjedhje shumë të ndryshme.

Fofana është lojtar i shkëlqyer, por mund të gjente brenda grupit ekzistues emra për të siguruar stabilitet. Unë e respektoj Fonseca, por kthehem në pikën e mëparshme: nëse largon Piolin, atëherë merr një trajner shumë më të mirë se ai”.

Më pas, ish-drejtori kuqezi tregoi një histori me Alvaro Morata: “Në vitin 2018 e takova disa herë, por marrëveshja nuk ndodhi për arsye të ndryshme. Për të fituar në Itali dhe Europë ju duhet një super skuadër.

Për ta humbur titullin, Interi duhet të bëjë vetëvrasje. Objektivisht, zikaltrit kanë ekipin më të mirë. Napoli bëri blerjen më të mirë, duke zgjedhur një kampion në pankinë si Antonio Conte”.

The post Ish-drejtori kuqezi: Po largove Piolin, atëherë merr një top-trajner. Morata? I bëra ofertë më 2018, por… appeared first on Telesport.

Boban “nxin” UEFA-n: Atje mendojnë se janë më të rëndësishëm se vetë futbolli, lojtarët, trajnerët, skuadrat

Ish-sulmuesi dhe menaxheri Zvonimir Boban ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”, gjatë së cilës ka prekur tema të ndryshme. Për shembull u ndal te lamtumira e tij nga UEFA (ku ishte kreu i futbollit) i datës 27 janar: “Kam bërë shumë kompromise në jetën time, madje më vjen turp për disa prej tyre.

Sidoqoftë, përballë uzurpimit dhe politikës së pastër të atyre që, për të mbrojtur interesat personale, njollosin të gjithë futbollin dhe institucionet e tij, nuk ishte e mundur të vazhdohej. Lamtumira ime ishte një vendim i pashmangshëm, megjithëse i dhimbshëm.

Prej vitesh kemi parë teknokratë të tërbuar në sistem, njerëz që mendojnë se janë më të rëndësishëm se vetë futbolli, lojtarët, trajnerët, skuadrat. Nuk kam folur më me Ceferin, më vjen keq si përfundoi marrëdhënia jonë”.

Në intervistën e tij kishte hapësirë ​​edhe për futbollin e luajtur, fillimin e formatit të ri të Champions League: “Edhe sikur të jetë krijuar për të gjeneruar të ardhura, pa u kujdesur për lojtarët dhe kalendarin, nuk më duket zgjedhje optimale. Kam debatuar shumë në UEFA për skemën e fazës së grupit, ku fillimisht ishin planifikuar 10 ndeshje dhe tani janë 8 të tilla”.

Çfarë pret ai nga skuadrat italiane? Boban përgjigjet: “Interi ka treguar se mund të konkurrojë me të gjithë, të tjerët nuk i shoh në këtë nivel”. Duke folur për zikaltrit, Boban tha se janë sërish favoritët kryesorë për titullin në Serie A (“skuadra më e fortë dhe më e kompletuar”), por kishte fjalë të bukura edhe për Juventusin e ri: “Më pëlqen shumë Motta, ai krijoi një kryevepër në Bologna. Koopmeiners duket blerje e goditur. Ai nuk vlen 60 milionë euro, është lojtar i shkëlqyer, por jo një kampion”.

Ishte e pashmangshme që Boban të mos fokusohej edhe te Milani: “Fatkeqësisht jemi ende në gjyq… Unë e respektoj shumë Fonseca, duhet t’i jepet kohë, por më shqetëson fakti se ende nuk ka dhënë sigurinë që kjo skuadër mund të luajë vetëm me 4-3-3. Ai është inteligjent, shpresoj se mund ta korrigjojë veten”.

Përfundimi me një panoramim të të tjerëve: “Conte ka arritur gjithmonë rezultate, duhet të ketë durim te Napoli, gjë që shpesh nuk e ka për shkak të karakterit të tij. Atalanta është krenaria e të gjithë atyre që e duan futbollin, besoj se do të bëjnë akoma mirë. Shpresoj se Roma mund të luftojë për një vend në Ligën e Kampionëve, por do të jetë shumë e vështirë”.

The post Boban “nxin” UEFA-n: Atje mendojnë se janë më të rëndësishëm se vetë futbolli, lojtarët, trajnerët, skuadrat appeared first on Telesport.

Fitoi gjithçka me Man.United e kombëtaren, mik me CR7 por tani ndodhet në burg, fundi i hidhur i mesfushorit brazilian

Katër tituj kampionë në Premier League me fanellën e Manchester United, klub me të cilin fitoi edhe një Champions League. Gjithsesi, e tashmja për ish-mesfushori brazilian Anderson Luís de Abreu Oliveira është burgu.

36-vjecari tani e gjen veten të burgosur për mospagimin e mbështetjes së fëmijëve. Anderson është dënuar me 30 ditë burg në qytetin e Porto Alegre dhe rrezikon të qëndrojë më gjatë nëse nuk do të shlyejë borxhin prej rreth 50 mijë eurosh.

Katër vjet më parë ai ishte në qendër të një rasti të dyshuar korrupsioni në Brazil, sepse u akuzua për pastrimin e disa milionëve në kriptovaluta. I lindur në vitin 1988, një talent i madh që u rrit në Gremio, ai luajti me United nga viti 2007 deri në 2015 (105 ndeshje dhe 6 gola).

Anderson ishte një nga miqtë më të mirë të Cristiano Ronaldos. Më pas veshi edhe fanellat e Fiorentina, Internacional, Coritiba dhe Adana Demirspor. Ai gjithashtu veshi 8 herë edhe fanellën “Seleçao”, midis 2007 dhe 2008-s.

Në karrierën e tij, Anderson ka fituar edhe Kupën e Amerikës me kombëtaren si dhe medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Më pas, ai vendosi të tërhiqej nga futbolli në vitin 2020 edhe pse ishte vetëm 32 vjeç.

The post Fitoi gjithçka me Man.United e kombëtaren, mik me CR7 por tani ndodhet në burg, fundi i hidhur i mesfushorit brazilian appeared first on Telesport.

Totti paralajmëron De Rossin: Kam besim tek ai, por te Roma rrezikon të përfundojë si Mourinho

“Pa u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm, De Rossi do të rrezikojë pozicionin”. Fjalët e Francesco Tottit, dikujt që e ka jetuar Romën për gati 30 vite, duke e mbajtur gjithmonë në shpirt.

Ish-kapiteni verdhekuq ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën “Il Messaggero”, duke trajtuar dinamikën e lidhur me botën romake. Mes tyre është pikërisht çështja që lidhet me De Rossin, por edhe merkato e transferimeve, për të cilën, sipas tij, janë shpenzuar shumë miliona.

Edhe zgjedhjet ishin të dyshimta, sipas Tottit, i cili mbron punën e bërë nga ish-shoku i tij i skuadrës në stolin verdhekuq. Ish-kapiteni ka besim në punën e De Rossit, i cili megjithatë rrezikon të përfundojë si Mourinho nëse nuk arrin objektivat e tij sezonalë. Në këto raste, e kaluara e tij si futbollist ka shumë pak rëndësi:

“Këshilla ime është të fitojë respekt dhe të flasë me stafin e njerëzit afër tij. Daniele ka një grup pune të vlefshëm, shpresoj se do të bëjë mirë. Ai e njeh vendin, mjedisin dhe klubin ku punon. Nëse gjërat nuk do të shkonin mirë, faji do të binte direkt mbi të. Ajo që ndodhi me Mourinhon nuk llogaritet në këto raste, shikoni edhe çfarë më ndodhi mua”.

The post Totti paralajmëron De Rossin: Kam besim tek ai, por te Roma rrezikon të përfundojë si Mourinho appeared first on Telesport.

Boban: Interi mund të konkurrojë me cilindo në Europë, ja cili është problemi i Milanit

Liga e Kampionëve është me të vërtetë afër startit, por ka nga ata, si Zvone Boban, që tashmë rrezatojnë ide shumë të qarta. Në fakt, ish-futbollisti, lexojmë në “Gazzetta dello Sport”, po fokusohet shumë tek Interi i Simone Inzaghit.

Sipas legjendës kroate të futbollit, i cili u largua nga qendra e vëmendjes janarin e kaluar, pas përfundimit të përvojës së tij me UEFA-n, zikaltrit kanë diçka më shumë se të gjitha skuadrat e tjera italiane: “Interi ka treguar se mund të konkurrojë me të gjithë. Zikaltrit janë ende favoritë për titullin e Serie A, kanë skuadrën më të fortë dhe më të kompletuar”.

Është e pamundur të dëgjosh Boban dhe të mos flasë për Milanin, klubin për të cilin punoi si menaxher midis viteve 2019 dhe 2020, përpara ndërprerjes së papritur të bashkëpunimit. Boban, pavarësisht precedentit jo të mirë, nuk harron të kaluarën e tij të lavdishme kuqezi: “Për mua, Milani është gjithmonë Milani. Fonseca? Duhet t’i japim kohë, ai sapo ka ardhur në Milano. Shpresoj se mund të korrigjohet, përtej rezultateve problemi është loja”.

The post Boban: Interi mund të konkurrojë me cilindo në Europë, ja cili është problemi i Milanit appeared first on Telesport.

Manchester City, gati të bëjë gjëra të çmendura për Rodrin, pasi e kërkoi Real Madridi

Së fundi, Rodri është lidhur shpesh me Real Madridin, pavarësisht se luan me një nga klubet më të forta në botë si Manchester City. Kontrata e spanjollit skadon në vitin 2027, por Guardiola dhe klubi anglez nuk kanë interes ta lënë atë të largohet lehtë.

Kjo është arsyeja pse, siç raporton “OK Diario”, menaxhmenti i “qytetarëve” do të ishte gati t’i ofronte atij rinovim deri më 2030 me 23.5 milionë euro në vit. Pra, gati 450 mijë euro në javë pagë për spanjollin, që do ta bënte atë më të paguarin në skuadër, madje duke kaluar edhe De Bruyne e Haaland.

Rodri nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për t’iu bashkuar Real Madridit një ditë, megjithatë, nëse do të pranonte zgjatjen e kontratës me kampionët anglezë, shanset e tij për t’u transferuar te “Los Blancos” do të uleshin në mënyrë drastike.

Tani është në njëlloj udhëkryqi, kush e di, paratë mund të bëjnë ndryshim në zgjedhjen e tij, siç ndodh shpesh. E sigurt është se Rodri ka fituar tashmë gjithçka në karrierën e tij: një Kampionat Europian, një Ligë e Kampionëve, një Botëror për Klube, 4 Premier League, 2 Superkupa Europiane, një “FA Cup”, një Ligë Kombesh, 2 “Carabao Cup”.

Deri më sot, përveç fanellës së Manchester City, spanjoli ka veshur edhe ato të Atletico Madridit dhe Villarrealit.

The post Manchester City, gati të bëjë gjëra të çmendura për Rodrin, pasi e kërkoi Real Madridi appeared first on Telesport.