Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta Vangjel Koja. Lamtumirë legjenda e volejbollit shqiptar!

Ndahet nga jeta trajneri mit i volejbollit shqiptar, Vangjel Koja. Njeriu ku thjeshtësia dhe madhështia bashkëjetonin aq bukur. Njeriu që e ngriti aq lart volejbollin, bashkë me të edhe emrin e sportit shqiptar. Shembulli i pasionit të pashoq dhe i modestisë. Sporti shqiptar është sot më i varfër se një ditë më parë, sepse një përfaqësues i shkëlqyer si i madhi dhe i paharrueshmi Vangjel Koja nuk është më. U prefsh në paqen e merituar Vangjel Koja!

Po cili ishte legjenda e volejbollit shqiptar? Vangjel Koja lindi në Tiranë më 19 prill 1933. “Xhela”, ashtu siç e njihnin të gjithë, ishte një legjendë e gjallë e historisë sportive të volejbollit shqiptar. Karriera e tij nisi si atlet, më pas si basketbollist, volejbollist, duke përfunduar si trajner i skuadrës së famshme, Dinamo, në volejboll për meshkuj, duke qenë jo vetëm fitues titujsh kampioni, por edhe lënë gjurmë të pashlyeshme në përfaqësimet europiane.

Vangjel Koja e kishte nisur sportin në vitin 1947, kur në moshën 14-vjeçare ishte shpallur kampion me të rinjtë e ekipit të Tiranës në katër gara: hedhje shtize, kërcim së gjati dhe në vrapimet në distancat 800 e 400 metra.

“E kam filluar me atletikën, 400m, 800m, kërcim së gjati, trehapësh. Kam marrë pjesë si pesëgarësh. Për trajnerin isha si ajo lotaria, kur i duhej fitorja në kampionatin e atletikës, apo kërcim së gjati, më fuste mua. Gara ime personale ka qenë kërcim së gjati”, – tregonte “Xhela”.

Në vitin 1956, një direktivë e ardhur nga lart, i detyroi sportistët që të specializoheshin në një lloj sporti. Vangjeli zgjodhi volejbollin. Dhe bëri zgjedhjen e duhur. Ai fitoi tituj pa fund, u shndërrua në një idhull për volejbollistët e djeshëm dhe të sotëm. Koja u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, titull i dhënë nga Presidenti i vendit në dhjetor 2003 dhe laureuar gjithashtu me tre urdhra “Naim Frashëri” të kategorive 1, 2 dhe 3. Ai mbante edhe titullin “Mësues i Popullit”.

Në kohën që ai ishte drejtues i Dinamos, ekipi ka fituar 17 kupa republike dhe 23 tituj kampioni, nga viti 1965 deri në vitin 1990. Koja u nderua nga televizioni “TeleSport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”. Në vitin 2024, Vangjel Koja u nderua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Z. Erlind Pëllumbi me titullin “Nderi i Volejbollit Shqiptar”.

VANGJEL KOJA (1933-2024)

“Nderi i Kombit”

“Mjeshtër i Merituar i Sportit”

“Nderi i Volejbollit Shqiptar”

“Nderi i Sportit Shqiptar”

Dekoruar me “Naim Frashëri” I, II, III

Diplomuar në A.E.F.S “Vojo Kushi” (Sot, Universiteti i Sporteve)

1955-1990, trajner i Dinamos, volejboll meshkuj

1965-1990, trajner i ekipi Kombëtar të volejbollit për meshkuj

23 herë kampion më Dinamon

17 herë fitues i Kupës së Republikës

50 herë fitues i kupave të ndryshme jubilare

2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare

100 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon dhe ekipin Kombëtar

Vendi i katërt midis skuadrave kampione të Europës në volejboll për meshkuj në vitin 1972

The post Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta Vangjel Koja. Lamtumirë legjenda e volejbollit shqiptar! appeared first on Telesport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *